Një ngjarje e rrezikshme ka ndodhur në Dhërmi, ku është regjistruar një aksident.
Mësohet se një 25-vjeçar nga qyteti i Durrësit dhe një vajzë e mitur 17-vjeçare kishin udhëtuar drejt jugut për të blerë një makinë tip “Land Rover” nga një person me orgjinë nga Tirana. Por qëllimi i dyshes ishte grabitja e makinës, sepse sapo pronari i mjetit u largua për një moment, adoleshentja ka hipur në makinë dhe është larguar me shpejtësi.
Menjëherë pas denoncimit, shërbimet e Policisë së Vlorës organizuan punën për lokalizimin e mjetit, por situata u përshkallëzua kur 17-vjeçarja refuzoi t’i bindej urdhrit për të ndaluar.
E reja ka bërë një seri manovrash të rrezikshme në aksin rrugor Dhërmi-Vlorë, duke rrezikuar jetën e shoferëve të tjerë. Gjatë manovrave, 17-vjeçarja ka humbur kontrollin dhe është përplasur në zonën e Palasës, ku si pasojë ka shkaktuar dëme të shumta materiale. Pas përplasjes e mitura u ndalua, ndërsa bashkëpunëtori i saj 25-vjeçar u kap pak më vonë nga policia në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë.
