Një 16-vjeçar ka humbur jetën në rrethana tragjike në ambientet e një restoranti në Arrameras të Fushë-Krujës, ku punonte si kamerier. Ngjarja lidhet me një incident me ashensorin e lokalit, ndërsa dy persona janë arrestuar nga policia.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, ngjarja ndodhi më 11 tetor 2026 në restorantin në pronësi të 62-vjeçarit Afrim Vathi.
Policia dyshon se pak përpara aksidentit, 16-vjeçari është shtyrë me duar drejt ashensorit nga një tjetër kamerier i lokalit, Endri Stafuka, 26 vjeç.
Në rrethana që janë ende objekt hetimi, ashensori është shkëputur, duke i shkaktuar të miturit dëmtime fatale. Pavarësisht ndërhyrjes, 16-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.
Pas veprimeve të para hetimore, efektivët e Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan Stafukën. Ndaj 26-vjeçarit rëndon dyshimi për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.
Hetimet janë shtrirë edhe te kushtet e sigurisë në restorant dhe përgjegjësitë e pronarit. Në pranga është vendosur edhe 62-vjeçari Afrim Vathi, i cili dyshohet për “Shkeljen e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fshehjen e të ardhurave”.
Autoritetet po punojnë për të rindërtuar të gjithë dinamikën e incidentit, përfshirë mënyrën se si u shkëput ashensori dhe nëse ishin respektuar standardet e sigurisë në vendin e punës.
Dosja i është përcjellë Prokurorisë për veprimet e mëtejshme procedurale, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e plota për vdekjen e 16-vjeçarit.
