Një 15-vjeçar shqiptar ka bërë një denoncim të fortë në Greqi, teksa akuzon një adoleshent, po ashtu shqiptar, për abuzim seksual.
Sipas mediave greke, ngjarja ka ndodhur në ishullin grek të Skiathosit, ku 15-vjeçari ka denoncuar se për disa vite ka qenë viktimë e abuzimit seksual dhe se 17-vjeçari e kërcënonte me video të regjistruara gjatë episodeve të pretenduara të abuzimit, duke e detyruar, sipas dëshmisë së tij, të kryente sërish akte seksuale.
Ngjarja është bërë publike pasi i mituri ka vendosur t’u tregojë prindërve të tij atë që pretendon se kishte përjetuar dhe së bashku me ta është paraqitur në polici. Sipas të dhënave të denoncimit, abuzimi dyshohet se kishte nisur që në vitin 2023 dhe kishte vijuar, në forma të ndryshme, deri në fund të korrikut 2026. Për çështjen është ngritur dosje penale për disa vepra, mes tyre përdhunim të përsëritur, pornografi të të miturve, dëmtim fizik ndaj personave të pambrojtur dhe kërcënim.
Sipas Protothema, në dëshminë e tij, 15-vjeçari ka pretenduar se 17-vjeçari përdorte video me përmbajtje seksuale si mjet presioni. Sipas tij, ai kërcënohej se materialet do t’u tregoheshin personave të tjerë nëse nuk pranonte të kryente veprimet që i kërkoheshin.
15-vjeçari ka deklaruar se gjatë periudhës nga viti 2024 deri të paktën në prill ose maj të vitit 2026, 17-vjeçari dyshohet se e ka detyruar të kryente marrëdhënie seksuale të paktën 16 herë. Ai ka pretenduar gjithashtu se nga viti 2023 deri në fund të korrikut 2026 detyrohej të kryente akte seksuale pothuajse çdo ditë. Sipas dëshmisë së tij, 17-vjeçari kishte shfaqur një sjellje manipuluese ndaj tij, ndërsa në disa raste dyshohet se kishte përdorur edhe dhunë fizike.
15-vjeçari ka treguar se episodi i fundit ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 6 gushtit. Sipas tij, 17-vjeçari ka shkuar në biznesin ku ai punon gjatë sezonit veror dhe e ka kërcënuar verbalisht. I mituri ka deklaruar se kjo sjellje i ka shkaktuar frikë dhe shqetësim të madh. Dy ditë më vonë, më 8 gusht, 15-vjeçari është paraqitur së bashku me prindërit e tij në Stacionin e Policisë së Skiathosit, ku ka bërë denoncimin dhe ka rrëfyer atë që pretendon se kishte përjetuar prej vitesh.
Nga ana tjetër, 17-vjeçari, gjithashtu me shtetësi shqiptare, ka dhënë një tjetër version të ngjarjeve. Sipas informacioneve të raportuara nga mediat greke, ai ka pretenduar se të dy të miturit ishin miq dhe se kontaktet mes tyre kishin qenë me pëlqim. Policia ka sekuestruar telefonin celular të 17-vjeçarit, i cili pritet t’i nënshtrohet ekzaminimit laboratorik.
Një nga elementet kryesore të hetimit është pikërisht verifikimi nëse në pajisje gjendet materiali video për të cilin ka folur 15-vjeçari dhe çfarë përmbajtjeje ka ai. Hetimet vijojnë për veprat penale të dyshuara, ndërsa autoritetet greke po përpiqen të zbardhin të gjitha rrethanat e denoncimit.
