Një 20-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik në Itali, në orët e para të mëngjesit të së enjtes. I riu, Thomas Qirjaj, udhëtonte së bashku me katër miq me një automjet tip “Volvo”, në drejtim të Milanos.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga mediat italiane, pasi kaluan pikën e pagesës, drejtuesi i automjetit humbi kontrollin dhe u përplas me barrierën ndarëse të autostradës.
Pas aksidentit, Thomas doli nga makina për të sinjalizuar praninë e automjetit në rrugë. Por në ato momente, ai u përplas nga një fuoristradë që drejtohej nga një 25-vjeçar, i cili dyshohet se nuk arriti ta shihte në kohë.
20-vjeçari u transportua me urgjencë në spitalin Predabissi, por ndërroi jetë pak më vonë, pasi plagët e marra rezultuan fatale. Katër personat e tjerë që ndodheshin në Volvo nuk pësuan dëmtime të rënda.
Lajmi për vdekjen e të riut ka tronditur edhe komunitetin ku jetonte familja e tij. Kryetarja e bashkisë, Roberta Battaglia, shprehu ngushëllimet për familjarët, duke e përshkruar humbjen si të papritur dhe të dhimbshme. Ajo tha se e kishte parë Thomasin të rritej dhe e kujtoi si një të ri të integruar në komunitet.
Thomas kishte lindur në Piacenza dhe vinte nga një familje shqiptare e vendosur prej vitesh në Caorso. Ai ishte fëmija i vetëm i prindërve të tij. Nëna punon në Itali, ndërsa babai është i punësuar në Zvicër.
Për zbardhjen e plotë të aksidentit kanë nisur hetimet nga Policia Rrugore e Guardamiglios dhe Prokuroria e Lodit. Drejtuesit të fuoristradës pritet t’i kryhen edhe testet toksikologjike, në kuadër të procedurave hetimore.
