Një konflikt i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme mes dy vëllezërve në lagjen nr. 13 të qytetit të Korçës. Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur brenda banesës së familjes, ku dy vëllezërit janë konfliktuar për motive të dobëta. Gjatë përplasjes, njëri prej tyre dyshohet se ka goditur me sëpatë vëllain e tij, duke e plagosur në shpatull.

Pas ngjarjes, autori është larguar nga banesa, por nuk ka mundur të qëndrojë gjatë në arrati. Forcat e Komisariatit të Policisë së Korçës kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e tij vetëm pak minuta pas incidentit. Ndërkohë, i plagosuri është transportuar drejt Spitalit të Korçës, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e konfliktit dhe motivet që çuan në përplasjen mes dy vëllezërve, ndërsa pritet që pas përfundimit të veprimeve procedurale materialet t’i referohen Prokurorisë përkatëse.