Një incident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme gjatë shoqërimit të një personi nga policia drejt Kuçovë, ku një efektiv ka mbetur i plagosur me armën e shërbimit.
Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 19:00 shërbimet e policisë po transportonin shtetasin Z. S. nga Komisariati i Policisë Fier drejt Komisariatit të Policisë Kuçovë, pasi dyshohej për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjatë shoqërimit, 45-vjeçari është konfliktuar me punonjësin e policisë A.T., 20 vjeç, dhe gjatë përplasjes i ka marrë armën e shërbimit duke e plagosur.
Patrulla e policisë ka ndërhyrë menjëherë, duke neutralizuar autorin dhe duke i rimarrë armën, ndërsa efektivi i plagosur është transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 45-vjeçarit, policia ka gjetur të fshehur në trup një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.
Për ngjarjen po hetojnë grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit dhe zbatimin e procedurave standarde gjatë shoqërimit.
