Një 40-vjeçar i dënuar me burg për dhunë në familje dhe ngacmim seksual të dy vajzave të tij të mitura është arrestuar. Ndaj të arrestuarit me iniciale Q. D., banues në fshatin Mamëz, Gjykata e Kukësit ka caktuar dënimin me 5 vite e 8 muaj burgim.
Mësohet se 40-vjeçarit i kanë mbetur për vuajtje 3 vite, 6 muaj e 3 ditë burgim, për veprat penale: “Dhuna në familje“, “Ngacmimi seksual“ dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit“.
Gjatë kontrollit në banesë, u gjetën dhe u sekuestruan: 14 kapsolla denator, 2 fitilë zjarrpërcjellës, 1 granatë ofensive dhe 5 krëhera automatiku.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit në kërkim Q. D., 40 vjeç, banues në fshatin Mamëz.
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, e cila e ka dënuar këtë shtetas me 5 vite e 8 muaj burgim, ku i kanë mbetur për vuajtje 3 vite, 6 muaj e 3 ditë burgim, për veprat penale: “Dhuna në familje“, “Ngacmimi seksual“ dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit“.
Në prill të vitit 2024, ky shtetas u arrestua pasi bashkëshortja e tij kishte bërë kallëzim për dhunë në familje, si dhe dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy vajzat e tij të mitura. Gjatë kontrollit në banesë, u gjetën dhe u sekuestruan: 14 kapsolla denator, 2 fitilë zjarrpërcjellës, 1 granatë ofensive dhe 5 krëhera automatiku.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



