Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në qytetin e Lezhës, ku një taksist ka rënë pre e një grabitjeje.
Raportohet se taksistit i është zënë pritë nga dy persona të maskuar, të cilët e kanë kërcënuar dhe e kanë dhunuar fizikisht. Pas kësaj, ata i kanë grabitur sendet personale dhe një shumë parash. Në dëshminë e tij dhënë autoriteteve, i dëmtuari ka pretenduar se i është marrë gjithashtu edhe një orë e markës “Rolex”, një pretendim ky që po mbahet në verifikim nga grupi hetimor.
Shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të autorëve dhe po kryejnë hetime intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave. Në fokus të hetimit janë pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit të lëvizjes dhe zonës përreth, me qëllim identifikimin e shpejtë dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje.
