Një incident ka ndodhur ditën e mërkurë gjatë një takimi elektoral në qytetin e Lezhës.

Policia ka njoftuar se një 49-vjeçar, pjesëmarrës në mitingun elektoral, ka goditur me grusht në fytyrë drejtuesin e policisë bashkiake të qytetit. Policia ka nisur procedimi penal ndaj tij, ndërkohë që hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për veprën “Goditja për shkak të detyrës”, për shtetasin A. Gj., 49 vjeç, banues në Lezhë, pasi ka kallëzuar shtetasi L. P., 47 vjeç, me detyrë shef i Policisë Bashkiake Lezhë, se dje, ndërkohë që ishte me shërbim gjatë një takimi elektoral, 49-vjeçari e ka goditur me grusht në fytyrë”, thuhet në njoftimin e policisë.