Një incident i rëndë është regjistruar këtë të hënë në Pogradec, ku një burrë ka plagosur me thikë bashkëshorten e tij në banesën e tyre në lagjen nr. 4 të qytetit.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se mes çiftit ka ndodhur një konflikt i çastit, gjatë të cilit burri ka marrë një mjet prerës dhe ka goditur të shoqen. Burime nga hetimi bëjnë me dije se autori dyshohet të ketë probleme të shëndetit mendor.

E plagosura është transportuar fillimisht në spitalin e Pogradecit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më pas është planifikuar të dërgohet drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Mjekët bëjnë me dije se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autori është shoqëruar nga policia dhe po merret në pyetje në ambientet e komisariatit, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.