Një shtetas grek u dërgua mbrëmjen e së premtes në Spitalin e Sarandës pa shenja jete nga disa persona, të cilët pasi e lanë atje u larguan me shpejtësi.
Viktima u identifikua si Pavlos Simeriontakis 48 vjeç nga Athina, ndërsa pas këqyrjes së kamerave të sigurisë pranë spitalit është vërejtur se personat që e shoqëronin janë larguar me një automjet të bardhë, me targa greke. Nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se shkak për vdekjen e 48-vjeçarit mund të jetë bërë një arrest kardiak.
Megjithatë, trupi i pajetë pritet të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për t’iu nënshtruar ekspertizës për të zbuluar shkakun real të vdekjes. Ende nuk dihet se përse shtetasi grek ndodhej në Sarandë, ndërsa policia vijon punën për identifikimin e personave që e shoqëronin dhe e lanë në spital.



