Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Sarandës, ku një grua 85-vjeçare ka humbur jetën pasi ra nga ballkoni i një ndërtese në katin e tretë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30, në lagjen nr. 3 të qytetit.

E moshuara, identifikuar si Selfije Demani, u transportua menjëherë në spitalin e Sarandës pas rënies. Mjekët e ekipit emergjent konstatuan fraktura të shumta, dëmtime të rëndë në të dy gjunjët, në legen dhe në mushkri. Pavarësisht përpjekjeve për ta operuar, mjeku kirurg nuk mundi ta shpëtonte, për shkak të dëmtimeve të rënda.

Burime nga hetimet kanë bërë të ditur se gruaja jetonte vetëm në momentin e incidentit, kishte probleme me shikimin dhe përdorte paterica për të lëvizur. Disa informacione të tjera sugjerojnë se ajo mund të kishte pasur edhe probleme mendore. Policia është duke hetuar ngjarjen dhe ka dyshime për mundësinë e një akti vetëvrasës, por edhe për mundësinë e një vdekjeje aksidentale.

Rreth ngjarjes po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e saj.