Një konflikt i dhunshëm ka përfunduar me tre persona të plagosur mbrëmjen e së mërkurës në Sarandë.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 21:55 në lagjen nr. 1, në ambientet e një biznesi që ndodhet pranë shëtitores së qytetit.

Gjatë përplasjes dyshohet se është përdorur një mjet prerës, ndërsa tre personat e përfshirë kanë marrë plagë dhe kanë pasur nevojë për ndërhyrje mjekësore.

Ata janë transportuar në urgjencën e Spitalit të Sarandës, ku po marrin trajtimin e nevojshëm. Deri tani nuk janë bërë publike identitetet dhe as gjendja e tyre shëndetësore.

Menjëherë pas ngjarjes, policia ka nisur veprimet hetimore për të rindërtuar dinamikën e konfliktit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se përplasja mund të ketë nisur për motive të dobëta, ndërsa hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.