Një banesë është përfshirë nga flakët mesditën e kësaj të mërkure në fshatin Domen të njësisë administrative Postribë, në Bashkinë Shkodër. Dyshohet se në momentin e rënies së zjarrit brenda banesës ndodheshin një grua dhe dy fëmijët e saj.

Për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës është bërë me shumë vështirësi. Banesa ndodhet në një zonë të thellë malore, rreth 30 minuta në këmbë larg rrugës automobilistike, ndërsa kur forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje, objekti ishte pothuajse i shkrumbuar.

Në vendngjarje po vijojnë veprimet e shërbimeve zjarrfikëse dhe të emergjencës për të verifikuar situatën. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet për viktima, por deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet. Pas përfundimit të verifikimeve pritet një njoftim zyrtar mbi ngjarjen.