Një rast i rëndë prostitucioni është zbuluar sot në Shkodër, ku të përfshira janë dhe dy vajza të mitura.
Raportohet se në pranga kanë rënë dy 19-vjeçarë, të cilët akuzohen se shfrytëzonin të miturat, 16 dhe 14 vjeç, për prostitucion. Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik, një prej 19-vjeçarëve i është gjetur dhe një sasi e vogël lënde narkotike.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasit S. C., 19 vjeç, dhe A. K., 19 vjeç, të dy banues në fshatin Koplik i Sipërm.
Nga hetimet e kryera për disa javë, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, dyshohet se këta shtetas shfrytëzonin për marrëdhënie seksuale, kundrejt pagesës, dy shtetase të mitura, 16 vjeçe dhe 14 vjeçe. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit A. K. iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprat penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me të mitura”, “Prostitucioni” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


