Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Mushqeta, ku një i mitur 12 vjeç, pasi mori pa leje automjetin e të atit, humbi kontrollin gjatë drejtimit dhe doli nga rruga.
Sipas policisë, janë referuar materialet në Prokurori dhe është nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. T., 51 vjeç, pasi djali i tij ka përdorur automjetin pa leje. Nga aksidenti, 12-vjeçari dhe një pasagjer 18-vjeçar kanë mbetur të plagosur. Të dy janë transportuar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve, duke u trajtuar për lëndimet e pësuara.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që bëhet apel për kujdesin e shtuar nga prindërit në lidhje me përdorimin e mjeteve nga fëmijët.
