Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Tiranë, pranë rrugës së Elbasanit.
Një efektiv i policisë rrugore i ka bërë shenjë për të ndaluar drejtuesit të një motori, por ai nuk ka respektuar urdhrin dhe ka vazhduar përpara. Sipas burimeve 25-vjeçari M.F, që drejtonte motorin e ka kundërshtuar policin duke i dhënë gaz motorit, duke shkaktuar një përplasje që ka lënduar efektivin në krah.
Policia thotë se i riu 25-vjeçar është konfliktuar fizikisht me punonjësin e policisë dhe pas kësaj ngjarjeje, ai është shoqëruar në komisariat, ndërsa burime thonë se M.F rezulton të jetë punonjës i Forcave Ushtarake.
Ndërkohë, punonjësi i policisë është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin ushtarak.
Njoftimi i policisë:
Këtë të hënë rreth orës 08:45, në rrugën e Elbasanit, dyshohet se shtetasi M. F., rreth 25 vjeç, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë Rrugore, për të ndaluar motomjetin që drejtonte, me qëllim kryerjen e verifikimeve.
Gjithashtu, shtetasi M. F., dyshohet se për shkak të detyrës, është konfliktuar fizikisht me punonjësin e Policisë, i cili po merr asistencë mjekësore.
Shtetasi M. F. është shoqëruar në ambientet e Policisë, me qëllim sqarimin e rrethanave të rastit.



