Një rast i rëndë i armëmbajtjes pa leje është zbuluar në Vlorë, ku një 14-vjeçar është arrestuar.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Elidon Çela ka njoftuar se të miturit i është gjetur një armë zjarri pistoletë e po ashtu, rreth 130 copë fishekë luftarakë. I mituri e kishte fshehur armën dhe gjithçka u zbulua vetëm pasi prindërit i gjetën një foto me armë në telefonin e tij. Ai ka treguar ku ndodhej pistoleta vetëm pas marrjes në pyetje nga policia, me praninë e psikologut dhe prindërve të tij. Nuk dihet ende se si 14-vjeçari kishte arritur ta gjente këtë armë, apo se kush ia ka dhënë.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë të angazhuara maksimalisht për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe për të zbardhur ato të ndodhura më parë. Operacioni policor i koduar “DANGER”, i cili u finalizua ditën e djeshme, pas një pune voluminoze të pandërprerë të strukturave hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Komisariatit të Policisë Vlorë nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, ishte një tjetër rezultat që rrit besimin e qytetarëve te Policia dhe krijon një ambient të pasigurt për ata që tentojnë apo kanë kryer krime ndaj personit, pronës apo në çdo fushë tjetër.
Dua t’iu bëj me dije, gjatë dy javëve të fundit, dhjetëra prindër dhe pjesëtarë të stafeve pedagogjike të qarkut Vlorë kanë kontaktuar Policinë, duke ndarë shqetësime dhe informacione mbi aktivitetet dhe sigurinë e fëmijëve të tyre, kryesisht të moshave 12 deri në 18 vjeç. Këto informacione kanë qenë të vlefshme dhe kanë ndihmuar në orientimin e veprimeve tona parandaluese. Një shembull konkret është rasti i një 14-vjeçari, ku, falë informacionit të siguruar dhe punës profesionale nga Policia e Vlorës, ditën e djeshme është bërë e mundur që, nëpërmjet një fotografie të gjetur në celularin e tij dhe pas një pune profesionale me psikolog, prind dhe punonjës social, të gjendej e fshehur në një motomjet pranë një banese një armë zjarri pistoletë me rreth 130 copë fishekë luftarakë, të cilat i kishte fshehur ky 14-vjeçar. Nga ana jonë vijon puna intensive për të identifikuar personin që ia ka dhënë armën këtij 14-vjeçari, i cili u arrestua për armëmbajtje pa leje.
Përfitoj nga rasti që t’i falënderoj të gjithë prindërit dhe stafet pedagogjike që kanë ndarë shqetësimet dhe informacionet e tyre me Policinë. Kontributi i tyre është një shembull i rëndësishëm i bashkëpunimit për rritjen e sigurisë së fëmijëve në rrugë dhe shkollë. Ftoj të gjithë qytetarët që të vazhdojnë këtë bashkëpunim, duke denoncuar rastet e paligjshmërisë, me garancinë e anonimatit të plotë dhe një reagim të menjëhershëm e profesional nga strukturat e Policisë së Qarkut Vlorë.
Këto veprime parandaluese dhe operacionale të njëpasnjëshme janë dëshmi e përkushtimit e strukturave të Policisë Vlorë, falë dhe bashkëpunimit me qytetarët dhe mbështetjen maksimale nga Prokuroria e Vlorës, për të goditur aktivitetet kriminale me qëllim rritjen akoma më shumë të parametrave të sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve.
Faleminderit gjithashtu juve, përfaqësues të medias, që jeni sot këtu për përcjelljen me profesionalizëm dhe transparencë të përpjekjeve tona për të luftuar krimin dhe për të garantuar sigurinë publike.
Faleminderit!