Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur pasditen e sotme në Vlorë, ku një grua ka hyrë brenda ambienteve të Gjykatës së Shkallës së Parë e armatosur me një thikë. Raportohet se gruaja ka shkuar në Gjykatë për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore, por në momentin që ka kaluar në skaner, është dhënë sinjali për prani të një objekti metalik.
Gruaja ka tentuar të largohet nga skaneri duke iu drejtuar daljes, por është ndaluar nga rojet e sigurisë të gjykatës, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Pas mbërritjes së efektivëve, gruaja ka thënë se do shkonte vetë në makinën e policisë por ata nuk duhet ta preknin, pasi nuk e lejonte besimi duke qenë se ishin të gjithë meshkuj.
Nuk dihet arsyeja e mbajtjes së thikës në gjykatë por burime bëjnë të ditur se dyshohet që thika të përdorej gjatë procesit gjyqësor. Thika ishte e përmasave të mëdha ndërsa është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, teksa gruaja është shoqëruar në komisariat.
