Në lagjen Piskotë të Gjakovës, një fabrikën e dyshekëve është përfshirë nga flakët. Zjarri është i përmasave të mëdha dhe fabrika po digjet që nga pasditja. Policia rajonale e Gjakovës ka njoftuar se deri më tani nuk ka raportime për të lënduar.

“Deri në këto momente, bazuar në informatat e pranuara, nuk raportohet për persona të lënduar, megjithatë verifikimi i plotë i situatës dhe i pasojave eventuale në njerëz do të bëhet pas shuarjes së plotë të zjarrit”, ka thënë Sheremet Elezaj nga policia.

Nga kompania kanë konfirmuar se punëtorët janë evakuuar me kohë, por thonë që nuk dihen akoma shkaqet e zjarrit.

Aktualisht, ende nuk janë konstatuar shkaqet e ndezjes së zjarrit dhe nuk mund të përllogaritet vlera e dëmit material”, thuhet në reagimin e “Comodita Home”.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka reaguar lidhur me zjarrin.

“Kjo është humbje për kompaninë, për Gjakovën dhe Kosovën. Edhe në këtë orë, zjarrëfikësit po luftojnë për ta mbrojtur një nga pjesët vitale të prodhimit që deri tani nuk është dëmtuar”, shkruan Gjini.