Një përplasje e ashpër ka ndodhur në Itali, mes dy shqiptarëve dhe dy tunizianëve, anëtarë të bandave kriminale.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi në Scicli dhe dyshohet se ka të bëjë me luftën e bandave shqiptare dhe atyre afrikane, për kontrollin e territorit. Karabinierët iu përgjigjën thirrjeve në “Via Aleardi”, pas një raportimi nga banorët që kishin parë burra të armatosur. Në vendngjarje, ata gjetën burrin me një plagë në kokë, një pistoletë të vjedhur, municione dhe një thikë pranë tij.
Hetimet zbuluan se gjatë sherrit, njëri prej shqiptarëve qëlloi me armë, duke plagosur lehtë dy afrikano-veriorët dhe më pas u largua me vrap. Edhe një prej shqiptarëve mbeti i plagosur nga përleshja, duke përfunduar në spital. Pasi mori mjekim ai u arrestua, teksa bashkëkombasi i tij është shpallur në kërkim.