Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në fshatin Markat, bashkia Konispol, ku një 44-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri.

Burime nga policia bëjnë me dije se i plagosuri është Saimir Haxhi, banor i zonës, i cili dyshohet se është qëlluar me një armë gjahu (çifte) në shpinë, ndërsa po tentonte të vidhte në një banesë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00, dhe sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ai është qëlluar nga pronari i banesës apo persona të tjerë që ndodheshin aty në momentin e ngjarjes.

Haxhi, i cili mësohet se ka precedentë penalë, është transportuar fillimisht në spitalin e Sarandës dhe më pas është dërguar në spitalin e Vlorës për mjekim të specializuar.

Policia e Sarandës ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit si dhe për të identifikuar autorin e dyshuar të plagosjes.