Është qëlluar gjatë natës me breshëri plumbash kompania farmaceutike CFO Pharma, e cila ndodhet në autostradën Tiranë Durrës.
Punonjësit e sigurisë e kanë raportuar ngjarjen në polici sot në orën 8:00 të mëngjesit dhe një grup hetimor ka shkuar në vendngjarje. Sipas burimeve, drejt fasadës së “CFO PHARMA” janë qëlluar rreth 20 plumba. Uniformat blu ndodhen në vendngjarje, ndërsa nuk ka ende një njoftim nga policia mbi ngjarjen.
Ndërkohë në pamje shihen shenjat e plumbave në fasadën e biznesit të Nadir Çaushollit.
“Rreth orës 08:10, në sallën operative të DVP Tiranë, ka ardhur njoftimi se në rrugën dytësore të autostradës “Durrës – Tiranë”, gjatë natës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të fasadës së një ndërtese. Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.”-njofton policia.







