Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në aksin rrugor Bradashesh–Elbasan, ku një drejtues mjeti ka përfunduar në spital, pasi dyshohet se ka gëlltitur lëndë narkotike për të shmangur kontrollet policore.
Gjatë një kontrolli rutinë nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor, u ndalua një automjet me xhama të zinj, i drejtuar nga shtetasi E. M., 37 vjeç. Fillimisht, ai u ndalua nga efektivët, por më pas refuzoi t’u bindej urdhrave të policisë për të paraqitur dokumentacionin e nevojshëm.
Për këtë arsye, ai u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë për verifikime të mëtejshme. Gjatë procedurave, 37-vjeçari shfaqi probleme shëndetësore dhe u transportua menjëherë në spital, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Sipas burimeve paraprake nga policia, dyshohet se ai ka konsumuar një sasi të lëndës së dyshuar narkotike, me qëllim shmangien e provave që mund të ngarkonin atë ligjërisht.
Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet për këtë rast vijojnë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave. Ndërkohë, materialet procedurale janë referuar për ndjekje të mëtejshme në Prokurori nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve.
Hetimet janë në vijim.