Një 51-vjeçar shqiptar ka përfunduar në spital në gjendje kritike pas një aksidenti të rëndë në një kantier ndërtimi në Patra, Greqi.

Sipas informacioneve të para, shqiptari dyshohet se ka rënë nga kati i tretë i një ndërtese në një bosht të zbrazët ashensori, duke pësuar lëndime të rënda.

Ai u transportua me urgjencë në Spitalin Universitar të Patrës, ku aktualisht po trajtohet i intubuar në repartin e kujdesit intensiv. Shtypi ka njoftuar se për shkak të natyrës së rëndë të dëmtimeve, gjendja e tij është ende shumë kritike.

Policia ka arrestuar mbikëqyrësin e projektit për ngjarjen, por më pas ai është liruar. Hetimet për shkakun e aksidentit janë duke vazhduar.