Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në Tiranë, ku një 17-vjeçar është plagosur me armë zjarri. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:40, në banesën e shtetasit R. S., 19 vjeç, i cili dyshohet se ka qëlluar aksidentalisht adoleshentin. Ai ka menduar se arma e zjarrit pistoletë nuk kishte fishekë në fole dhe e ka shkrepur në drejtim të 17-vjeçarit.

I riu ka përfunduar në pranga dhe akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Gjithashtu janë arrestuar edhe dy shtetas të tjerë, A. V., 20 vjeç dhe H. H., 22 vjeç, të dyshuar për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. 17-vjeçari i plagosur ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Njoftimi i policisë:

Plagosi aksidentalisht me armë zjarri shokun e tij, vihet në pranga 19-vjeçari. Vihen në pranga edhe 2 shtetas të tjerë, shokë të tyre. Sekuestrohet arma e zjarrit që 19-vjeçari e posedonte pa leje.

Rreth orës 01:40, pas njoftimit se në rrugën “Berit Beker” ishte plagosur me armë zjarri një 17-vjeçar, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, me qëllim sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Nga veprimet e para hetimore rezulton se në banesën e shtetasit R. S., 19 vjeç, ky i fundit, duke i treguar armën e zjarrit pistoletë shokut të tij dhe duke menduar se nuk kishte fishek në fole, e ka shkrepur aksidentalisht dhe për pasojë është plagosur 17-vjeçari.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore: -u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. S., 19 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”;
-u arrestuan shtetasit A. V., 20 vjeç dhe H. H., 22 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

17-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.