Një ngjarje shqetësuese është raportuar ditën e djeshme në zonën e Liqenit të Thatë, ku një qen ka tentuar të sulmojë disa fëmijë pranë këndit të lojërave, duke krijuar panik mes banorëve dhe prindërve që ndodheshin aty.

Sipas denoncimit, qeni ka qenë i lirë ndërsa përveç fëmijëve ka sulmuar edhe një qen tjetër në zonë. Situata është agravuar për disa minuta, derisa një i ri ka ndërhyrë në kohë dhe ka arritur ta mbajë qenin të lidhur për të shmangur pasoja më të rënda.

Banorët thonë se momentet kanë qenë tepër të frikshme, pasi në park ndodheshin shumë fëmijë të vegjël. Ata kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe kontroll më të fortë ndaj qenve që lëvizin pa masa sigurie në ambiente publike.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe policia, ndërsa sipas denoncimit të bërë nga prindërit, pronari i qenit është identifikuar dhe është proceduar pas incidentit.

Ngjarja rikthen edhe një herë në vëmendje problemin e mungesës së kontrollit ndaj qenve agresivë në zonat urbane. Vetëm pak kohë më parë, në Vlorë, një vajzë e vogël u sulmua nga një pitbull, ngjarje që shkaktoi reagime të forta në opinionin publik dhe ngriti shqetësime serioze për sigurinë e fëmijëve në hapësirat publike.

Banorët kërkojnë që rasti të mos neglizhohet dhe të merren masa konkrete për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen, sidomos në hapësirat ku frekuentojnë fëmijët.