Një përleshje e dhunshme midis dy grupeve në një lokal në Itali ka përfunduar me disa të plagosur, përfshirë një shtetas shqiptar 30-vjeçar, i cili është në rrezik për jetën dhe ndodhet nën kujdes intensiv në spital. Ngjarja ka ndodhur gjatë mëngjesit të sotëm në Ranzanico, një qytet afër liqenit Endine, dhe dyshohet se ka lidhje me luftën për territor dhe trafikimin e drogës.
Shqiptari është plagosur rëndë me thikë, në zonën midis bazës së qafës dhe fytit, ndërsa një italian 26-vjeçar, i cili dyshohet të jetë autori i sulmit, gjithashtu ka mbetur i plagosur pas koke nga një shishe qelqi gjatë përleshjes. Sulmuesi italian, i njohur për varësinë nga droga, është dërguar në spitalin Humanitas Gavazzeni.
Ngjarja ka ndodhur pranë barit Ignazzi, në hyrje të rezidencës ‘La Filanda’, dhe, sipas raportimeve, shqiptari dhe dy bashkëkombës të tij ishin përfshirë në një konflikt me italianin, i cili i ka sulmuar me thikë. Viktimat kanë reaguar duke e goditur sulmuesin me shishe qelqi.
Policia italiane njoftoi se të gjithë pjesëmarrësit në përleshje janë arrestuar. Karabinierët e Clusone sekuestruan disa doza kokaine jashtë lokalit, ndërsa po hetohet burimi i saj. Mbrëmë janë kryer kontrolle në banesat e të arrestuarve për të hetuar lidhjen e mundshme me trafikimin e drogës.
