Një ngjarje tragjike është regjistruar në fshatin Arapaj të Durrësit, ku një përplasje e momentit mes dy personave ka përfunduar me vdekjen e një 52-vjeçari. Policia ka ndaluar 18-vjeçarin, L. Ç., i cili akuzohet për “Plagosje të rëndë me dashje, me pasojë vdekjen.”
Sipas hetimeve të kryera nga specialistët e Hetimit të Krimeve ndaj Personit, dyshohet se konflikti ka shpërthyer për motive të dobëta, kur i riu ka goditur me grusht 52-vjeçarin Saimir Fetahu. Pas goditjes, viktima ka rënë me kokë në tokë dhe ka marrë dëmtime të rënda. Hetimet sugjerojnë se ngjarja ka pasur si shkak një debat, ku viktima, në gjendje të dehur, kishte ngacmuar me fjalë vëllain e sëmurë të autorit të dyshuar. Kur i riu ka mësuar për këtë, ka shkuar për t’u sqaruar dhe e ka goditur me grusht.
Pavarësisht ndihmës mjekësore që ka marrë fillimisht në vendngjarje dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë, 52-vjeçari ka ndërruar jetë më 10 nëntor, rreth orës 22:00.
Pas vdekjes së viktimës, Policia e Durrësit ka ndaluar autorin e dyshuar, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme hetimore.
