Një 44-vjeçar është arrestuar në Fier pasi ka goditur me mjet prerës një punonjës sigurie në Spitalin Rajonal të qytetit. Sipas njoftimit të policisë, shtetasi Sh. M., banues në Fier, u arrestua nga specialistët e Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, pasi për motive të paqarta ka sulmuar punonjësin e sigurisë. Si pasojë e sulmit, punonjësi i sigurisë ka pësuar dëmtime të lehta.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e konfliktit.
Njoftimi i Policisë Fier:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin Sh. M., 44 vjeç, banues në Fier, pasi për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës një punonjës sigurie në Spitalin Rajonal Fier, i cili është dëmtuar lehtë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin V. M., 26 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit F. K., 43 vjeçe, R. M., 62 vjeçe, dhe E. H., 41 vjeç, të tre banues në Roskovec, pasi në dyqanet e tyre janë gjetur fishekzjarrë, të cilët dyshohet se janë të kontrabanduar.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. S., 21 vjeç, banues në Lushnjë, pasi drejtonte automjetin, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin N. H., 47 vjeç, banues në fshatin Çermë Shkumbin, pasi ka kanosur nëpërmjet celularit, një 57-vjeçar, për motive të dobëta.
Në Komisariatin e Policisë Lushnjë është paraqitur shtetasi R. M., 47 vjeç, i cili ka kallëzuar se shtetasi J. S., 33 vjeç (aktualisht në paraburgim në IEVP Fier), i ka marrë një automjet duke e mashtruar se do t’ia blinte. Po punohet për gjetjen e automjetit dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
