Punonjësit e Policisë, duke rrezikuar jetën e tyre, janë zhytur në lumin Buna dhe kanë shpëtuar një 59-vjeçare, e cila ishte hedhur për t’u vetëmbytur në ujërat e lumit Buna.
Rreth orës 09:30, në Sallën Operative është marrë njoftim se një shtetase është hedhur në ujërat e lumit Buna. Menjëherë, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë hyrë në ujë, duke bërë të mundur nxjerrjen e 59-vjeçares nga ujërat e lumit Buna, në gjendje të rëndë, por me shenja jete, si dhe i kanë dhënë ndihmën e parë.
Shtetasja V. T., 59 vjeçe, është transportuar me autoambulancë në Spitalin Rajonal Shkodër, për të marrë asistencën e nevojshme mjekësore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. N., 56 vjeç, banues në fshatin Spathar, pasi dyshohet se dje, ka ndezur një zjarr duke djegur një sasi mbeturinash, por zjarri është përhapur duke djegur një sipërfaqe me kallamishte.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe:
• shpallën në kërkim shtetasin E. P., 43 vjeç, pasi dyshohet se në zonën e mbrojtur të fshatit Bogë, ka kryer punime ndërtimi pa lejet përkatëse;
• referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. U., 36 vjeç, banues në fshatin Bogë, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori për njoftim fakti, pasi dje, ka shkuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër shtetasja L. Z., 37 vjeçe, banuese në fshatin Rrenc, pasi dyshohet se para tre ditësh ka konsumuar mbi dozën e lejuar një sasi medikamentesh mjekësore që përdorte për kurim prej disa vitesh.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
