Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Vreshtas, në bashkinë e Maliqit, ku një 14-vjeçar ka humbur jetën brenda banesës së tij.

Sipas informacioneve paraprake, i mituri vuante prej vitesh nga epilepsia dhe kishte gjithashtu probleme me zemrën që nga lindja. Ka qenë nëna e tij ajo që ka kërkuar ndihmën e urgjencës mjekësore, pasi ka konstatuar gjendjen e rënduar të djalit.

Megjithatë, kur ekipi mjekësor ka mbërritur në banesë, 14-vjeçari ishte pa shenja jete. Në vendngjarje kanë shkuar edhe shërbimet e policisë, të cilat po kryejnë veprimet procedurale për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Mësohet se i mituri jetonte me nënën dhe njerkun e tij, pasi prindërit ishin të divorcuar. Nga të dhënat e para, dyshohet se vdekja mund të ketë ardhur si pasojë e problemeve shëndetësore që ai kishte prej kohësh.