Përmbytjet masive që preku Durrësin kanë shkaktuar tragjedi, me një viktimë të parë që u gjet në zonën e Plepave. Një person, i dyshuar të jetë mbytur, u gjet pa shenja jete pas ditëve të kërkimeve intensive.
Identiteti i viktimës është konfirmuar si Astrit Hysenaj, 54 vjeç, i cili kishte humbur kontaktet me familjen e tij gjatë ditës së martë, kur rajoni u godit nga përmbytje të rënda.
Ditën e mërkurë, kushëriri i tij kishte raportuar në polici për mungesën e tij dhe kishte kërkuar ndihmë për gjetjen e tij. Pas disa orësh kërkimesh, trupi i tij u gjet i pajetë, i dyshuar të ketë qenë marrë nga rrjedha e fuqishme e ujit.
“Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për largimin nga banesa të shtetasit A. H., 54 vjeç, informojmë se pas kërkimeve të kryera nga shërbimet e Policisë dhe nga polumbarët e Reneas, u gjet trupi i pajetë i 54-vjeçarit, në një kanal kullues në afërsi të Ish-repartit Ushtarak. Paraprakisht dyshohet se shtetasi A. H. është marrë nga rrjedha e ujit.
Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon në drejtimin e Prokurorisë, për të sqaruar dhe dokumentuar rrethanat e rastit“-njofton policia.
