Një edukatore 32-vjeçare është arrestuar në flagrancë nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije 2-vjeçar në ambientet e kopshtit privat ku punonte.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, e arrestuara me inicialet B. H. ishte me detyrë edukatore dhe dyshohet se ka goditur të miturin gjatë kohës që ndodhej në kujdesin e saj.

Materialet procedurale për këtë rast i janë referuar organeve kompetente për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa policia vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Në të njëjtin njoftim, Policia e Tiranës ka bërë të ditur edhe dy raste të tjera arrestimesh.

Një 32-vjeçar me inicialet B. O. është arrestuar pasi dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të godasë me automjet një person dhe më pas e ka goditur me një send të fortë.

Po ashtu, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, R. S., 20 vjeç dhe B. R., 34 vjeç. Sipas policisë, 20-vjeçari dyshohet se ka tentuar të përdorë një armë artizanale gjatë një konflikti me kushëririn e tij, ndërsa 34-vjeçari dyshohet se më herët kishte konfliktuar dhe kanosur nënën e të riut.

Materialet për të gjitha rastet i janë dërguar Prokurorisë për procedura të mëtejshme.