Policia Kufitare ka arrestuar në Sarandë një shtetase turke të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin e saj drejt Turqisë.
Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për shtetasen J. Y., e dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda e Stambollit me 4 vjet e 2 muaj burg për veprat penale “Dhënia e ndihmës logjistike për organizatë terroriste” dhe “Pjesëmarrja në grupe terroriste”.
Në një tjetër operacion, Policia Kufitare e Sarandës arrestoi një shtetas për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”. Gjithashtu, katër persona të tjerë u proceduan në gjendje të lirë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe posedim të armëve sportive.
Ndërkohë, në kuadër të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, Interpol Tirana finalizoi dy ekstradime drejt Shqipërisë.
Nga Mbretëria e Bashkuar u ekstradua shtetasi K. T., i dënuar me 3 vite burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Po ashtu, nga Athina u ekstradua shtetasi A. B., i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me 8 muaj burg për veprën penale “Vjedhja”.
