Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ishin sot në qytetin e Elbasanit për prezantimin e forcave “Shqiponja”.


Pas ceremonisë, ata janë pyetur në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi dje kryeqytetin. Në lidhje me atentatin, Balla u shpreh se këto ndodhin në çdo kryeqytet të botës dhe se policia do t’i zbulojë autorët.


Sa i përket largimit apo qëndrimit të Lleshajt si ministër, Balla tha se ai ka bërë dhe bën një punë të shkëlqyer.


 “Ministri Lleshaj prej ditës së parë në krye të Ministrisë së Brendshme ka bërë dhe bën një punë të shkëlqyer dhe padyshim ky është një investim i rëndësishëm i besimit që PS dhe grupi parlamentar i saj i ka dhënë.


Ndaj do ju lutesha miqësisht të fokusohuni tek ajo që ndodhi sot në Elbasan që është një rritje e prezencës së prekshme të punës së policisë në shërbim të njerëzve të zakonshëm të Elbasanit.


Sulme kriminale si ai i mbrëmshmi në Tiranë ndodhin në çdo kryeqytet të botës dhe do doja të kishit pak durim sepse policia e Shtetit do t’i zbulojë në kohë autorët dhe do t’i vërë para përgjegjësisë”, deklaroi Balla.