Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili përmendi emrin e tij gjatë aktivitetit të zhvilluar në Elbasan në kuadër të 35-vjetorit të Partisë Socialiste.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Alizoti kritikoi kreun e qeverisë për atë që e cilësoi si arrogancë politike, duke kundërshtuar idenë se fati i një politikani mund të identifikohet me fatin e vendit apo të qytetarëve.
Deputeti demokrat u shpreh se protestat dhe tensionet e fundit në vend janë pasojë e mënyrës së qeverisjes së Edi Ramës dhe jo rezultat i veprimtarisë së opozitës apo faktorëve të tjerë politikë.
Sipas Alizotit, pakënaqësia ndaj qeverisë po reflektohet gjithnjë e më shumë në pjesëmarrjen e qytetarëve në protesta, duke e cilësuar këtë si një shenjë të qartë të kundërshtimit ndaj politikave të mazhorancës.
Ai theksoi se vendi po kalon një periudhë të rëndësishme politike, ku qytetarët po kërkojnë më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga institucionet, ndërsa reagimi i tyre, sipas tij, tregon nevojën për ndryshim në mënyrën e qeverisjes.
Postimi i plotë:
Që e ke humbur fare duket qartë. S’ka nevojë për psikologë e psikiatër. Bashkon fjalë dhe kujton se bën fjali. Më paske përmendur edhe mua si deputet, në ligjëratën e lodhshme para të tutëvëve. Ty të pëlqen të vetëkënaqesh para skllevërve të tu nëpër salla.
Po ky sot është problemi më i vogël që ke ti dhe duartrokitësit e tu. Tani po të jap një leksion historie, se ti, si i shkolluar nga kinostudio, e ke diapazonin mendor sa ekrani i një televizori Iliria. Po të tregoj që, që nga koha e faraonëve e deri te sivëllai yt, Stalini, të gjithë diktatorët e bashkojnë kombin me veten. Njësoj si ti, po fiks fare si ti, e quajnë fundin e vet si fund të kombit. Por, po të shkollohesh me televizor Iliria, babëzia ta errëson gjykimin.
Këto që po ndodhin këto ditë në Shqipëri janë rezultat i qeverisjes tënde. Mund të bësh kllounin sa të duash, të thërrasësh në ndihmë kë të duash; suksesi i protestës është fundi yt.
Unë jam deputet dhe në politikë ka finale të mira e të këqija politike. Por ti s’je më përballë meje si deputet, as përballë nesh si politikanë. Ndaj mos u përgjëro kot. Fundi i pushtetit tënd duket qartë që s’do të jetë më politik. Do të jetë në shesh, aty ku rrëzohen të gjithë ata që qeverisin si ti. Dhe unë i falënderoj dhe i mbështes nga zemra të gjithë ata që po ta afrojnë këtë fund, që e meriton totalisht. Kjo ishte përgjigjja politike. Sa për mbiemrin tim, më vjen keq. Jemi kaq të ndryshëm, sa s’ta kthej dot përgjigjen. Nuk ma lejon edukata familjare të debatoj me sojin tënd.
