Avokati i Popullit, Endrit Shabani, ka reaguar pas incidentit të ndodhur këtë paradite, kur një aktivist politik iu afrua teksa ndodhej në një lokal duke pirë kafe me prindërit e tij.

Në reagimin e tij, Shabani bën të ditur se personin që e filmoi dhe e ofendoi e njeh që nga koha e gjimnazit. Bëhet fjalë për Mevlan Matën, të cilin e identifikon si aktivist të Partisë “Shqipëria Bëhet”.

Shabani pretendon se ngjarja erdhi pas sulmeve të mëparshme politike ndaj tij, duke përmendur edhe një video ku shihej duke përshëndetur dy deputetë. Ai thekson se, për shkak të detyrës si Avokat i Popullit, ka detyrimin institucional të bashkëpunojë me të gjithë deputetët, pavarësisht përkatësisë partiake.

Ai shprehet se është i hapur ndaj kritikave për shkak të funksionit publik që mban, por kundërshton përfshirjen e familjarëve në përplasje politike.

Sipas Shabanit, prindërit e tij të moshuar nuk duhet të bëhen pjesë e debateve politike, pasi nuk kanë asnjë përgjegjësi publike. Në përfundim, ai thekson se shtëpia dhe familja duhet të mbeten të paprekshme nga konfliktet politike.

“Dje kryetari i Partisë Shqipëria Bëhet më sulmoi sërish (prej një viti tashmë), duke manipuluar një video ku përshëndesja dy deputetë. Si Avokat i Popullit raportoj çdo muaj në Kuvend dhe kam detyrim institucional të bashkëpunoj me të gjithë deputetët, pa dallim partie.

Por edhe më parë, nuk kam besuar kurrë se kundërshtari duhet trajtuar si armik, aq sa mos i japësh dorën. Jam i bindur se edhe Adriatiku, i cili ka dalë vetë në video duke qeshur me të njëjtët deputetë, e di mirë këtë.

Sot, Mevlan Mata, aktivist i së njëjtës parti, erdhi me kameraman poshtë pallatit ku jetoj, për të më filmuar duke më fyer, ndërsa pija kafe me prindërit e mi. Mevlanin e njoh që në shkollë të mesme dhe më vjen keq që i duhet të japë shenja të tilla besnikërie ndaj partisë.

Kritikën ndaj meje e pranoj, për sa kohë kam zgjedhur një detyrë publike. Por prindërit e mi të moshuar nuk e meritojnë të përfshihen në skena të tilla, sepse nuk janë pjesë e asnjë debati politik dhe nuk kanë asnjë përgjegjësi publike. Besoj fort që shtëpia dhe familja e çdo shqiptari duhet të mbeten të paprekshme, prandaj ky kufi nuk duhet kapërcyer”, thotë ai në reagimin e tij.