Një 36-vjeçar shqiptar është vënë në pranga nga Karabinierët e kompanisë së Ricciones, pasi u kap në posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen.
Sipas mediave italiane, arrestimi erdhi pas një kontrolli rutinë rrugor në Viale Abruzzi, ku shqiptari po drejtonte një makinë me qira. Që në momentet e para, ai ka shfaqur një nervozizëm të tepruar, çka ka ngritur dyshimet e efektivëve dhe i ka shtyrë ata të thellojnë verifikimet.
Gjatë kontrollit, në portofolin e tij u gjetën 1,500 euro cash, për të cilat ai nuk ka mundur të japë një shpjegim mbi origjinën. Meqenëse 36-vjeçari nuk kishte me vete dokumentet e qëndrimit dhe pretendoi se i kishte harruar në banesë, karabinierët kanë ushtruar kontroll edhe në shtëpinë e tij.
Brenda banesës, mes sallonit, korridorit dhe kuzhinës, u gjetën tre peshore precize me mbetje të një substance të bardhë. Ndërsa në një kasafortë në dhomën e gjumit, policia zbuloi një pako me rreth 40 gramë kokainë në formë kompakte.
Doza të tjera të paketuara gati për shpërndarje u gjetën si në trupin e të arrestuarit, ashtu edhe në një pajisje mobilimi. Lënda narkotike, paratë dhe materialet për paketim janë sekuestruar.
Nga verifikimet e mëtejshme në komisariat rezultoi se 36-vjeçari kishte përdorur më parë identitete të ndryshme dhe se ishte dënuar më herët për vepra të ngjashme.
Ai është mbajtur në qelitë e sigurisë në Riccione, në pritje të seancës për vlerësimin e masës së arrestit.
