Një aksident tragjik është regjistruar paraditen e së shtunës në zonën malore të Lëpushës, në Kelmend, ku ka humbur jetën alpinisti 40-vjeçar Florian Sini.
Policia u sinjalizua rreth orës 10:52 për një person që dyshohej se kishte rënë në një humnerë pranë fshatit Lëpushë. Pas mbërritjes në zonë, shërbimet policore konstatuan se Sini nuk kishte mundur t’u mbijetonte dëmtimeve të rënda të marra nga rënia.
Në vendngjarje ka nisur puna e grupit hetimor, i cili po mbledh të dhëna për të përcaktuar dinamikën dhe shkaqet e aksidentit. Deri në këtë fazë nuk janë bërë publike hollësi të tjera mbi rrethanat në të cilat 40-vjeçari përfundoi në humnerë.
Për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor. Në një mesazh të publikuar në Facebook, Federata e përshkroi ngjarjen si një humbje të dhimbshme dhe u shprehu ngushëllime familjarëve dhe miqve të Florian Sinit.
“Me hidhërim të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës në një aksident tragjik të alpinistit Florian Sini. I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe shoqërisë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, thuhet në reagim.
