Një ngjarje e trishtë ka ndodhur këtë pasdite në aksin rrugor Peshkopi–Bulqizë, ku një arushë është përplasur nga një mjet.

Mësohet se arusha, e cila kishte zbritur nga pyjet përreth në kërkim të ushqimit apo strehimit, ka dalë papritur në rrugën automobilistike. Në atë moment, një automjet që dyshohet se po udhëtonte me shpejtësi të lartë e ka përplasur me forcë të madhe. Përplasja ka rezultuar fatale për kafshën, e cila ka ndërruar jetë në vendngjarje. Shoferi po ashtu akuzohet se nuk ishte i vëmendshëm dhe për këtë arsye ka ndodhur dhe aksidentit.

Pamjet dhe dëshmitë e qytetarëve të pranishëm në vendngjarje përshkruajnë një skenë të rëndë ku një krijesë e egër dhe e rrallë për zonën përfundoi e shtrirë e pajetë në asfalt, viktimë e një pakujdesie që shpesh konsiderohet “normale” në rrugët tona.

Ky aksident ndodh në një kohë kur bashkëjetesa me natyrën është më e rëndësishme se kurrë dhe kjo ngjarje vë në dukje nevojën për masa urgjente për të mbrojtur si jetën e kafshëve të egra, ashtu edhe ndërgjegjësimin e drejtuesve të automjeteve.