Është ndarë nga jeta ish-prefekti i qarkut të Fierit, Baki Bala. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e tij, të cilët njoftojnë se Bala vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.

Bashkëshortja e tij, përmes një mesazhi prekës, shprehet se humbja e Balës ka lënë një boshllëk të madh në familje, duke theksuar se ai do të kujtohet gjithmonë si një njeri i fortë dhe një luftëtar i palodhur përballë vështirësive.

“Me dhimbje të pamasë po ndajmë lajmin e ndarjes së parakohshme nga jeta të bashkëshortit tim të shtrenjtë dhe babait të tre vajzave tona, Baki Bala. Ai u përball me një sëmundje të vështirë dhe të rrallë me forcë, dinjitet dhe shpresë, duke na mësuar çdo ditë çfarë do të thotë të luftosh me zemër dhe të duash jetën edhe në momentet më të vështira. Largimi i tij ka lënë një boshllëk të thellë në zemrat tona, një dhimbje që fjalët nuk arrijnë ta përshkruajnë. Do të jetojë përgjithmonë në kujtimet dhe zemrat tona si një shpirt fisnik, i buzëqeshur, optimist dhe luftëtar i palodhur, ashtu siç ishte gjatë gjithë jetës së tij. Në ditët në vazhdim do t’ju njoftojmë detajet për ceremoninë mortore”, shkruan ajo.

Bala ka qenë prefekt i qarkut të Fierit nga viti 2017 deri në vitin 2021. Gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij publike, Baki Bala u vlerësua për përkushtimin dhe korrektësinë në shërbim të qytetarëve, duke lënë pas një kontribut të çmuar në drejtimin e institucioneve dhe në jetën publike të qarkut Fier.