Artan Lame ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur në Gjermani, pas një ndërhyrjeje të vështirë në zemër. Ai ndërroi jetë pasi doli nga gjendja e komës, në moshën 58-vjeçare.

Lame ka qenë një figurë e njohur në jetën publike shqiptare. Ai ka mbajtur pozita të larta si zëvendësministër dhe drejtor i Agjencisë së Kadastrës dhe Legalizimeve. Përveç angazhimeve shtetërore, ai njihej edhe për pasionin e tij të thellë për historinë dhe për kontributin si një nga koleksionistët më të mirë në vend.

Ai ishte gjithashtu publicist, opinionist dhe studiues i historisë shqiptare. Lame ka dhënë një kontribut të vyer për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ka qenë aktiv në shoqërinë civile.

I lindur në Tiranë më 1967 dhe me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës, Artan Lame la gjurmë të pashlyeshme në shërbim të publikut dhe kulturës shqiptare. Vdekja e tij është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe gjithë shoqërinë shqiptare.