Shkodra është tronditur nga lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të Arjan Krajës, punonjës i OSSH-së, i cili ndërroi jetë pas një beteje të gjatë tre mujore në koma.

Krajës iu desh të përballej me pasoja të rënda shëndetësore pasi ndërhyri për të shpëtuar dy fëmijë nga mbytja në detin e Velipojës.

Ngjarja që preku zemrat e shumë qytetarëve ndodhi gjatë muajve të verës, kur Arjani, me guxim të jashtëzakonshëm, rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar dy të mitur nga dallgët.

Ndërsa fëmijët arritën të shpëtonin falë ndërhyrjes së tij, vetë ai u transportua me urgjencë në spital në gjendje të rëndë dhe qëndroi në koma për tre muaj, pa mundur të rikuperohej.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është pritur me dhimbje të madhe nga familjarët, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën.