Rama nga Fieri u shpreh se në disa zona të vendit, përfshirë edhe Valbonën, janë ndërmarrë ndërhyrje infrastrukturore dhe energjetike, ndërsa në të njëjtën kohë janë anuluar apo rishikuar projekte të tjera hidrocentralesh gjatë viteve të fundit.

Duke iu referuar debatit për Sazanin dhe Zvërnecin, Rama tha se Shqipëria vijon të përballet me kundërshti dhe interpretime të ndryshme mbi projektet zhvillimore dhe mjedisore, ndërsa shtoi se vendi ka nevojë për më shumë debat të bazuar në fakte.

Ai u ndal edhe te roli i Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare të pyjeve dhe mjedisit, si dhe tha se gjëja patriotike është e vërteta dhe është se kur flet për vendin tënd, ta bësh duke pasur parasysh që dinjiteti i vendit tënd të mos cënohet.

“ Nuk iu bë rruga deri në Valbonë, por u dha peshqesh 12 hidrocentrale. Ishte kjo parti që i dha jetë qeverisë së vet, që nuk kishte ç’të bënte me 1 apo 2 hidrocentrale që kishin nisur punën dhe anuloi të tjerat.

Ambientalistët pseudo ia hodhën në kurriz edhe PS-së. Si mund të bëjë Shqipëria dhe si mund të zgjidhet vendi që drejton organizatën më prestigjioze të pyjeve, ku pyjet shkatërrohen dhe bëjnë kërdinë gjuetarët.

Stafeten ia dha Suedia dhe e mbështeti Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar për të marrë drejtimin e saj. Do të kemi probleme për sa kohë do të kemi njerëz që, në emër të mbrojtjes, shkojnë në Zvërnec dhe parkojnë makina në rërë dhe protestojnë për flamingot.

Për sa kohë kemi njerëz që dalin në Instagram me lloj-lloj kremrash, parfumesh, sfondesh nga Toskana, Parisi, “oh sa e bukur Vjena”, dhe këtu në Shqipëri e pinë atë pijen që kanë marrë dhe i bëjnë reklamë, si të mos kemi probleme ne?

Duam flamingot, por flamingot s’kanë gojë të të duan ty. Kjo do të thotë të kesh dy b*thë, një ta mbash dhe një ta çash.

Nëse je patriot, pse merr pjesë në mashtrime publike? Pse jep zërin tënd, pasionin tënd, në mashtrime? Ti je patriot dhe kërkon vdekjen time? Pse nuk thua si një patriot që e dua Shqipërinë dhe nuk e pranoj të shitet Sazani, Zvërneci të betonizohet dhe kërkoj që të shihen letrat?

S’mund të jesh patriot që fsheh të vërtetën e atyre që të rrethojnë. Je skuth dhe manipulues, dikush që s’ka lidhje fare. Gjëja patriotike është e vërteta dhe është se kur flet për vendin tënd, ta bësh duke pasur parasysh që dinjiteti i vendit tënd të mos cënohet.”