Avokati Maks Haxhia, i cili përfaqëson Ergys Agasin, ka vizituar në qeli biznesmenin që u arrestua mbrëmjen e djeshme. Në një komunikim me gazetarët, ai tha se duan që t’i vihet në dispozicion dosja e plotë e hetimit. Sipas tij, mbrojtja nuk mund të ngrejë pretendime konkrete pa pasur akses në aktet e dosjes.

Avokati tha se Agasi pretendon se nuk ka përgjegjësi juridike në lidhje me akuzat që po hetohet, ndërsa argumentoi se klienti i tij nuk ka pasur funksione shtetërore që lidhen me menaxhimin e financave publike dhe se nuk ka marrë pjesë në tendera publikë.

“Ky është një takim i parë që përgatitemi për procesin lidhur me verifikimin e masës që është arrest me burg. Ne duam dosjen. Është e turpshme sepse edhe pse kemi bërë kërkesë, i jemi drejtuar ILD që na është mohuar një e drejtë, sepse pa dosje nuk mund ngremë me pretendim. Zoti Agasi pretendon se është jashtë çdo ngarkese juridike. Ai pretendon dhe është fakt që ai nuk ka prekur financat publike, sepse nuk ka qenë në funksionet e autoriteteve që menaxhojë financa publike. Nuk ka marrë pjesë as në tendera publike”, tha avokati.