Kreu i PD, Sali Berisha vijon kritikat ndaj ligjit për barazinë gjinore që u miratua dje në Kuvend dhe që solli edhe sulmet e tij ndaj ambasadorit të BE, Silvio Gonzato. Berisha tha se PD do bëjë gjithçka për anulimin e këtij ligji, që sipas tij u miratua në pabesi nga PS, pasi mbyllën seancën.
“Në të njëjtën ditë kur Gjykata Supreme e SHBA, sanksionon dy gjini, mashkull, femër dhe përjashton njohjen e çdo gjini tjetër, në parlamentin e dhunës, të votës së vjedhur, votohet ligji në të cilin gjinia zëvendësohet me përkatësi të shumëfishtë, me identitetin gjinor me diversitet të gjerë. Kjo kalon pa debat, në pabesi, në kundërshtim me marrëveshjen e arritur po dje paradite që ligji të afrohet dhe debati të zhvillohet jo pas orës 1 të natës, por në një kohë kur qytetarët ta ndiqnin.
Por, ku e kuptuan se nuk mund të mbronin para shqiptarëve ligjin që shkonfiguronte shtyllën kryesore të ekzistencës së kombit, vendosën ta votojnë pa debat, morën pushim gjerisa i mblodhën deputetët që nuk i kishin dhe realizuan votimin. Në këto rrethana PD nuk pajtohet me këtë ligj, do ndërmarrë të gjithë hapat kushtetuese, do rikonsiderojë referendumin dhe çdo gjë për anulimin e këtij ligji i cili përmbys rendin juridik të shtetit shqiptar”, tha Berisha.





