Burgim i përjetshëm për vrasësin e studentes shqiptare Ilaria Sula, mesazhi prekës i prindërve

Mark Antony Samson është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Romë, pasi vrau ish-të dashurën e tij, studenten shqiptare 22-vjeçare Ilaria Sula, dhe më pas fshehu trupin e saj.

Vendimi u shpall në sallën e gjyqit në burgun Rebibbia. Samson, i cili kishte pranuar autorësinë e krimit, u shpall fajtor për vrasjen me rrethana rënduese, përfshirë paramendimin, si dhe për fshehjen e kufomës. Ai nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit.

Pas vendimit, babai i Ilaria-s, Flamur Sula, u shpreh se drejtësia kishte triumfuar, por humbja e vajzës do të mbetet një dhimbje e përjetshme për familjen.

“Drejtësia u bë, por burgimin e përjetshëm të vërtetë e kemi ne, unë dhe bashkëshortja ime. Ai ende merr frymë, ndërsa vajza ime nuk merr më frymë”, deklaroi ai, duke shtuar se kishte ruajtur gjithmonë besimin te drejtësia.

Babai i 22-vjeçares iu drejtua gjithashtu të rinjve me një mesazh për respektin dhe komunikimin brenda familjes, duke i nxitur të mos heshtin përballë problemeve. Edhe nëna e saj, Gëzime Sula, përcolli një apel të ndjerë: “Respektoni gratë, duajini ato”

Ilaria Sula u vra më 25 mars 2025 nga ish-i dashuri i saj, Mark Antony Samson. Sipas hetimeve, 24-vjeçari e goditi tri herë me thikë në fyt, më pas e vendosi trupin e saj në një qese dhe e hodhi në një humnerë në zonën e Capranica Prenestina, pranë Romës.

Trupi i pajetë i studentes u gjet më 2 prill 2025, disa ditë pas vrasjes.

Gjatë marrjes në pyetje, Samson pranoi krimin, por deklaroi se nuk ishte në gjendje të shpjegonte se çfarë kishte ndodhur në momentet e sulmit.

Dënimi me burgim të përjetshëm shënon përfundimin e një etape të rëndësishme të procesit gjyqësor për vrasjen e studentes shqiptare. Për familjen Sula, vendimi sjell drejtësi, por jo lehtësimin e dhimbjes për humbjen e vajzës së tyre.