Fier


Burg pa afat për Oltjon Toron: Më vinin fatura të kripura të dritave dhe ujit


Oltjon Toro, autori i dyshuar i vrasjes së 62-vjeçarit Nasi Memaj dhe plagosjes së rëndë të bashkëshortes së tij, Angjelinës, ka mbajtur të njëjtin qëndrim për sa i përket versionit të ngjarjes, edhe dje paradite para togave të zeza, kur ndaj tij u caktua masa e sigurisë. Ai ka pranuar që të ketë qëlluar me breshëri automatiku drejt çiftit Mema në banesën e tyre, ndërsa ka shpjeguar edhe motivin, që sipas tij, ndikoi në kryerjen e këtij krimi. Toro është shoqëruar dje paradite rreth orës 10:30 në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Fierit, ku gjatë zhvillimit të masës së sigurisë ka marrë pjesë edhe nëna e tij, Liri Toro. Prokurori i çështjes, Genci Mane, i ka kërkuar gjykatës caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” pa afat për Toron, për veprën penale të “vrasjes me dashje në rrethana të tjera cilësuese”. Ndërkaq, gjyqtari i çështjes, Roland Jaupaj, ka dëgjuar edhe dëshminë e të arrestuarit, i cili ka shpjeguar ndër të tjera, se gjithçka kishte ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. “Ashtu si edhe herë të tjera, fqinji ynë, Nasi Mema, erdhi për të kërkuar paratë e ashensorit dhe të pastrimit të shkallëve. I shpjegova se nuk kisha pse ta paguaja atë taksë, pasi nuk e përdornim ashensorin dhe se pjesën tonë të shkallëve e pastronte vetë nëna ime. Ai ishte bërë i bezdisur për ne, pasi na kërkonte shpeshherë paratë, për të cilat ne e kishim sqaruar se nuk i detyroheshim. Atë ditë që Nasi erdhi, isha i mërzitur edhe për shkak të faturave të CEZ-it dhe të ujit të pijshëm, të cilat më dukeshin të pamotivuara, pasi vlera që kërkohej ishte më e madhe nga ajo që kishim konsumuar. Nëna ime jeton e vetme gati e vetme dhe ne nuk shpenzojmë aq shumë sa thuhej në fatura. Në këto kushte, kur Nasi erdhi për të kërkuar lekët, i thashë se nuk kisha ndërmend t’ia jepja. Në atë moment, erdhi pranë derës së shtëpisë sime edhe gruaja e Nasit dhe nëna ime. Në debat e sipër teksa të katërt po grindeshim, Nasi e shtyu nënën time dhe nuk durova dot më, por e qëllova me grusht, duke e shtrirë përtokë. Pastaj shkova të marrë kallashnikovin dhe qëllova tek dera e shtëpisë së tyre e më pas u largova”. Kështu ka deklaruar dje në sallën e gjyqit, 36-vjeçari Toro. Pasi është njohur me provat e paraqitura nga prokuroria dhe ka dëgjuar deklarimet e të arrestuarit e të mbrojtësit të tij, gjyqtari Roland Jaupaj vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat për Oltjon Toron. Gjatë zhvillimit të masës së sigurisë ka qenë edhe nëna e të prangosurit, Liri Toro, e cila, duke qarë, ka kërkuar t’ia linin të lirë të birin. Vrasja makabre u krye mesditën e së shtunës rreth orës 13:20 në banesën e Nasi Memajt, në lagjen “Apollonia” të qytetit të Fierit. Nga breshëria, humbi jetën 62-vjeçari Nasi Mema dhe u plagos rëndë bashkëshortja e tij, Angjelina e cila ndodhet ende e shtruar në sallën e reanimacionit të repartit të kirurgjisë në spitalin e Fierit. E.Hoxhaj


 


 


DËSHMIA


Taksa – I shpjegova se nuk kisha pse ta paguaja atë taksë, pasi nuk e përdornim ashensorin dhe se pjesën tonë të shkallëve e pastronte vetë nëna ime


Bezdisja – Ai ishte bërë i bezdisur për ne, pasi na kërkonte shpeshherë paratë, për të cilat ne e kishim sqaruar se nuk i detyroheshim


Faturat – Atë ditë që Nasi erdhi, isha i mërzitur edhe për shkak të faturave të CEZ-it dhe të ujit të pijshëm, të cilat më dukeshin të pamotivuara