Itali/ Laert Kumaraku pranon vrasjen e Dritan Malit: Nuk ishte hera e parë që e rrihte
Shqiptari Laert Kumaraku ka pranuar krimin dhe është arrestuar me akuzën e vrasjes së vullnetshme të kunatit, Dritan Mali, i martuar me motrën e tij, Jerina Kumaraku e babai i një djali 7 vjeçar. Laerti ka pranuar krimin, por jo fajin. “Reagova për të mbrojtur motrën time, pasi Dritani po e rrihte”, ka deklaruar Laerti gjatë marrjes në pyetje nga prokurorja e çështjes Erica Battaglia. “Nuk ishte hera e parë që e rrihte”, është shprehur ai. Shenjat në trup të Jerina Kumarakut, e cila pas ngjarjes është kuruar në spitalin e afërt pranë qytezës së tyre të banimit, konfirmojnë një dhunë fizike të hershme në trupin e saj.
Jerina Kumaraku, bashkëshortja e viktimës që të gjithë e thërrasin Rina, pritet të merret shumë shpejt në pyetje nga policia italiane.
Por, për momentin, ajo është në gjendje jo të mirë psikologjike e fizike. Dritan Mali ka ndërruar jetë pas një plage të vetme e të thellë thike në gjoks, poshtë zemrës. Mbeten ende për t’u zbardhur dinamika e vërtetë e ngjarjes. Policia italiane ka deklaruar se do të marrë në pyetje familjarët, miqtë e të afërmit e viktimës.
Mësohet se Dritan Mali ishte rezident prej 20 vitesh në Itali. Ngjarja ka ndodhur në brendësi të banesës së tij, në rrugën Prada të komunës së Vobanos, ku Dritani jetonte me bashkëshorten e tij, Jerina Kumaraku, vëllain e tij, Lulzim Mali, 33 vjeç, e kunatin, vëllain e Jerinës, Laert Kumarakun, i cili jetonte me ta prej pak kohësh, i papunë. Viktima, Dritan Mali, dhe vëllai i tij Lulzim Mali, ishin dy më të vegjlit të 7 vëllezërve të familjes Mali. Të gjithë janë rezidentë në Itali. Sipas hetimeve të policisë italiane, ka qenë pikërisht kunati i tij, Laert Kumaraku, i cili ka goditur me thikë Dritan Malin, pas një grindje të dhunshme brenda banesës. Mësohet se Laert Kumaraku ka reaguar për të mbrojtur motrën e tij.
Ndërkohë, në spitalin e komunës së Gavardos pranë qytezës ku jetonte familja shqiptare, ndodhet në gjendje shoku Jerina Kumaraku, bashkëshortja e viktimës, e cila ka në trup disa plagë të lehta që supozohen të jenë marrë gjatë grindjes së dhunshme në familje. Po në këtë spital ka marrë kurat mjekësore Lulzim Mali, vëllai i viktimës Dritan Mali, i cili menjëherë pas ngjarjes ka pasur probleme shëndetësore.